PD, në parlament apo jo?! Gerti Shella: Heqja dorë do të sillte vendime të njëanshme nga PS

Në kohën kur ende nuk duket qartë se çfarë vendimi do të marrë Partia Demokratike në lidhje me hyrjen apo jo në parlament, mendime dhe ide të ndryshme vijojnë të artikulohen për këtë fakt. Ndonëse nga kampi demokrat në veçanti dhe i opozitës në tërësi po vijohet me kallëzime, denoncime e depozitime faktesh e provash për zgjedhjet, analistët e situatës kërkojnë që Partia Demokratike duhet të jetë në parlament, pikërisht për të ndaluar vendimarrjet e parregullta të qeverisë!

Ky është versioni që hedh Gerti Shella, i ftuar në studion e “Ilva Now”, i cili tha se PD-ja duhet të jetë pjesë e Parlamentit, pasi heqja dorë nga mandatet, të cilën z. Shella e cilëson si të gabuar, do të sillte vendime të njëanshme dhe të parregullta nga Partia Socialiste. Sipas z. Shella ndryshime të tilla kanë ndodhur pas largimit nga Parlamenti të opozitës, siç ishin ndryshimet në Kushtetutë dhe më konkretisht ndryshimet në Reformën Zgjedhore, të cilat z. Shella theksoi se i kanë dhënë avantazh Edi Ramës dhe partisë së tij.

“Reforma zgjedhore që nuk prodhoi rezultat për të dyja palët, erdhi për shkak se në Parlament u mbivendos një opozitë e emëruar me anë të së cilës PS-ja ndryshoi Kushtetutën. Ndryshimet kushtetuese u bënë për një javë”, u shpreh z. Shella. Gerti Shella tha për PD-në se nuk duhet të përsërisë veprimet e gabuara politike të saj dhe se duke qenë në Parlament, vendimet do të merren bashkërisht, ashtu siç duhet.

“Mendoj se PD-ja ka reflektuar për të mos përsëritur më gabimin e daljes nga parlamenti, largimit nga mandatet apo në pushtetin vendor nesër. Kështu nuk mundet të ndryshohet më pakonsensus ndonjë rregull. Aktorët vendosin bashkërisht rregullat. Ndryshimi i Kushtetutës u bë në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus sepse e lejonin numrat”, u shpreh Gerti Shella. Gerti Shella tha për z. Rama se ky i fundit përdori çdo hapësirë që ju dha për të qenë në avantazh në këto zgjedhje.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>