Komisionerët e disa partive akuzohen për falsifikim rezultati për Kuvendin 2017

Marre nga BIRN – Prokuroria e Kavajës ka dërguar për gjykim 10 komisonerë nga 4 parti,  të akuzuar për falsifikimin e rezultatit në zgjedhjet parlamentare 2017.

Dhjetë komisionerë të cilët numëruan votat në qarkun e Tiranës janë proceduar penalisht nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë, pasi dyshohen se kanë falsifikuar tabelat e rezultatit të votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017-të.

“Gjatë hetimeve të kryera, ka rezultuar e provuara se anëtarët e komisioneve zgjedhore të sipërcituara, me dashje, kanë ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, pasi pas një procesi rinumërimit të votave nga ana e KQZ, kanë dalë rezultate të ndryshme nga ato të nxjerra nga këto komisione,” shprehet Prokuroria e Kavajës në kërkesën për gjykim drejtuar gjykatës.

“Pavarësisht pretendimeve të anëtarëve të komisioneve për një gabim njerëzor, dukshëm rezultati është i ndryshëm, gjë që dëshmon vullnetin e tyre që me dashje të falsifikonin rezultatin e zgjedhjeve,” shton organi akuzës.

Të pandehur nga ana e Prokurorisë së Kavajës janë marrë shtetasit, Adriatik Kasa, Aldo Duro, Arnold Karriqi, Bujar Menolla, Ferdinand Saraçi, Idriz Dedej, Mediola Veliu, Rexhep Verrija, Shpendi Dema dhe Ylli Thartori.

Nëpërmjet përfaqësuesve ligjorë, gjatë seancës paraprake të mbajtur me 19 korrik 2018,  të pandehurit kanë kundërshtuar hapjen e gjykimit, duke pretenduar se hetimet nuk janë të plota, ndërkohë që kanë kërkuar gjithashtu gjykim të shkurtuar.

Avokati i Mediola Veliu i tha BIRN se procesi ishte politik. “Është një çështje që nuk e ka bërë prokuroria por politika”, tha avokati Shkëlqim Sula.

Megjithatë, prapësimet e mbrojtës janë hedhur poshtë nga gjykata dhe kërkesa e Prokurorisë së Kavajës është pranuar nga gjyqtari Paulin Çera – komanduar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili ka vendosur hapjen e procesit gjyqësor për falsifikim të zgjedhjeve ndaj 10 komisionerëve.

Rinumërimi zbardh problemet

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 25 qershor 2017, komisionet e nivelit të dytë, KZAZ-të kanë dorëzuar në KQZ tabelat përmbledhëse të rezultateve të zonave të administrimit zgjedhor, tabelat e rezultatit të qendrave të votimit të plotësuara nga grupet e numërimit, si dhe dokumentacionin zgjedhor.

Pas depozitimit në KQZ të dokumentacionit zgjedhor, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Partia Socialiste kanë kërkuar rinumërimin e disa qendrave të votimit në qarkun e  Tiranës. Sipas këtyre dy partive, pas administrimit të pamjeve filmike të procesit të numërimit të votave për të gjithë zonat zgjedhore të qarkut Tiranë është konstatuar se për disa qendra votimi numri i votave nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga grupet e numërimit në tabelat e qendrave të votimit.

Pas marrjes së kësaj kërkese, KQZ ka administruar dokumentacionin zgjedhor të përpunuar nga komisionet zgjedhore përkatëse dhe ka vendosur rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në qendrat e votimit. Nga ky proces ka rezultuar se në 5 nga 68 qendra votimi, rezultati ka dalë i ndryshëm me rezultatin e nxjerrë nga grupet e numërimit.

Ka rezultuar po ashtu se anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit të grupit të numërimit një numër më të vogël votash për disa subjekte dhe numër më të madh votash për disa subjekte të tjera.

Sipas KQZ-së rezultati i disa qendrave të votimit nuk ka pasqyruar rezultatin real të cilën zgjedhësit e këtyre qendrave kanë shprehur nëpërmjet votimit, duke favorizuar disa subjekte zgjedhore. Megjithatë, Komisioni nënvizon së këto ndryshime të konstatuara në tabelat e rezultatit janë në një masë të tillë që nuk kanë sjellë pasoja në rezultat apo në pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zona zgjedhore.

Procedimi penal ndaj të dyshuarave – me detyrë anëtarë, sekretar dhe numërues i parë i grupeve të numërimit në KZAZ nr. 43, ka filluar pas kallëzimit të bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me datë 24 korrik 2017.  Me datë 22 janar 2018, Prokuroria e Kavajës i ka njoftuar akuzën 10 të pandehurve.

Shkëlqim Sula, avokat mbrojtës i një prej komisionerëve të akuzuar tha se nuk bëhej fjalë për çështje penale, por një çështje politike, ai u ankua se gjyqi po vijonte për një kohë të gjatë. Është shtyrë shumë herë, ku në disa raste janë bërë shkak të pandehurit në disa të tjera, avokatët e disa raste prokurorët, që shkojnë në seminare”, tha Sula.

Lodhje, pagjumësi dhe mirëbesim

Si pjesë e hetimit të çështjes Prokuroria ka marrë në pyetje 10 të pandehurit, duke kërkuar të hedhë dritë mbi procedurën e plotësimit të tabelave të rezultatit të zgjedhjeve,  përbërjen e grupeve të numërimit përkatëse, si dhe shpjegimet e tyre për ndryshimin e rezultati pas procesit të rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Prokuroria e Kavajës ka marrë në pyetje shtetasit Indrit Dedej –numërues i Partisë Socialiste për Integrim në GNV nr.2207 në Rrogozhinë, i cili ka shpjeguar se pjesë e grupit të numërimit kanë qenë dhe shtetasi Bujar Menolla, përfaqësues i Partisë Socialiste, Ferdinand Saraçi si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe Shpendi Dema si përfaqësues i PDIU-së.

Dedaj në dëshminë e tij ka shpjeguar procedurën e numërimit të votave në këtë GNV dhe mënyrën se si është procedur për plotësimin e tabelave të rezultateve. Lidhur me rezultatet e nxjerra nga KQZ, ky shtetas ka shpjeguar se ka qenë i lodhur dhe i përgjumur dhe plotësimi i të dhënave në tabelë është bërë nga përfaqësuesi i PDIU-së Shpend Dema me mirëkuptimin e të katër anëtarëve dhe ai ka nënshkruar me mirëbesim. Kjo procedurë numërimi është konfirmuar edhe nga shtetasit Shpëtim Saraçi, Shpend Dema dhe Bujar Menolla. Sipas të pandehurve ndryshimi i rezultatit ka ardhur si pasojë e lodhjes dhe pagjumësisë.

Si pjesë e këtij procedimi Prokuroria ka marrë në pyetje shtetasin Rexhep Verrija – anëtar i LSI-së, i cili ka shpjeguar se ai është caktuar si numërues i fletëve të votimit në GNV nr. 2165, nr. 2173 dhe nr. 2194 me qendër në shkollën 9-vjeçare “Tre Dëshmorët” në Kavajë. Në të njëjtin grup numërimi kanë qenë dhe shtetasit Arnold Karriqi – përfaqësues i PD-së, Aldo Duro si përfaqësues i PS-së, si dhe Mediola Veliu si përfaqësuese e PDIU-së. Lidhur me rezultatin e rinumërimit të votave të nxjerrë ndryshe nga KQZ, Verrija ka deklaruar se në tabelën e rezultateve për qendrat e votimit nr.2713 dhe nr.2194 nuk është nënshkrimi i tij. Ai ka shtuar së në qendrën nr.2165 ka firmosur ‘në mirëbesim, pasi tabelat janë plotësuar nga përfaqësuesja e PDIU-së Mediola Veliu. Edhe shtetasit Aldo Doro dhe Arnold Karriqi kanë pretenduar se tabelat e përgatitura nga Mediola Veliu, i kanë firmosur në mirëbesim. Vetë Veliu ka deklaruar se ajo ka hedhur të dhënat në tabelë sipas numërimit që është bërë në prani të të gjithë anëtareve të grupit, të cilët kishin nënshkruar pa vërejtje.

Si pjesë e hetimit Prokuroria ka marrë në pyetje edhe shtetasin Adriatik Kasa, numërues në KZAZ nr.43, GN 04 dhe QV nr.2241 me qendër në Rrogozhinë. Ai ka shpjeguar se pjesë e këtij grupit të numërimit kanë qenë dhe shtetasit Flamur Lika si përfaqësues i PD-së, Fatmir Bakalli i PS-së dhe Ylli Thartori përfaqësues i LSI-së. Në lidhje me ndryshimin e rezultatit pas rinumërimit të KQZ-së, Kasa ka shpjeguar se plotësimi i të dhënave në tabelë është bërë nga Flamur Lika dhe ai ka firmosur në mirëbesim.

Pas pyetjes së të pandehurve, Prokuroria e Kavajës ka përpiluar kërkesën për dërgimin e çështjes penale në ngarkim të tyre në gjyq. Pasi gjykata mori në shqyrtim kërkesën e prokurorit dhe provat, si dhe ka dëgjuar palët në seancë gjyqësore, gjyqtari Paulin Çera ka vendosur se prokurori “ka cilësuar drejt rrethanat e faktit dhe provat e paraqitura prej tij janë të mjaftueshme për të mbështetur akuzën e ngritur ndaj të pandehurve.”

 

Autor: Elton Qyno  BIRN  Tiranë

Hap artikullin ne linkun origjinal

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>