INFOCIP shpall gjetjet paraprake mbi kallëzimet për krime zgjedhore në organet e ndjekjes penale

1 Maj 2021 – INFOÇIP shpalli sot Raportin Special mbi incidencen e krimeve zgjedhore ne kohe fushate. INFOCIP, mbeshtetur nga NDI, ka vëzhguar incidentet zgjedhore në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe kallzimet penale të depozituara në Prokurori në kohë fushate. Për herë të parë, objekt monitorimi janë rastet e kallzuara apo kërkesat për hetim në SPAK.

Shkarko Raportin ne PDF, SHQIP                         Download report in English, PDF

Koha të cilën mbulon ky raport paraprak përmbledh periudhën 1 deri 25 Prill 2021. Rakordimi i fundit i shifrave është bërë në datë 30 Prill 2021. Marzhi i gabimit ne raportim është 3%.

Burimet zyrtare që përdor ky monitorim për mbledhjen e informacionit janë subjektet zgjedhore, Policia e Shtetit, prokuroritë e rretheve, SPAK, si dhe institucionet e tjera shtetërore. Të dhënat janë dokumentuar dhe janë të pasqyruar në faqen dedikuar këtij monitorimi www.krimizgjedhor.com.

Gjetjet e raportit paraprak organizohen mbi dy premisa:

  1. Raste të raportuara nga subjekti inicues (sender) i nje denoncimi apo kallzimi.  Këto mund të jenë subjekte zgjedhore (pati politike), policia apo edhe qytetarë të thjeshtë të cilët kanë marrë dijeni mbi rrethanat e një vepre të dyshuar penale dhe i janë drejtuar prokurorisë për të sinjalizuar rastin për hetim të specializuar nga organi ligjzbatues.
  2. Raste/kallzime të raportuara zyrtarisht nga institucioni pritës (receiver) që në rastin konkret janë prokuroritë e rretheve dhe/ose SPAK;

Numri i kallzimeve të raportuara nga subjektet denoncuese është në çdo rast më i madh krahasuar me numrin e rasteve të raportuara zyrtarisht nga organi i prokurorisë, për shkak të periudhës dritare (18 ditë) të vlerësimit të rastit për efekt të regjistrimit apo jo si procedim penal.

Sipas vëzhgimit të ndërmarrë nga INFOCIP, deri në datën 28 Prill 2021 (rakordimi i fundit) rezultojnë të inicuara në formë kallzimi, kërkese për hetim apo referim nga Policia e Shtetit 190 raste të cilat, në shumicë dërmuese, bien në parashikimet e Kreut X të Kodit Penal. Kjo është një shifër dinamike e cila ka tendencë rritjeje. Numrin më të lartë të kallzimeve e ka paraqitur deri tani subjekti Partia Demokratike. Vetëm prej saj, në total janë 50 kallzime të depozituara në SPAK dhe 73 të tjera të denoncuara apo kallzuara në prokuroritë e rretheve.

Kallzimi me numrin më të madh të pesonave për të cilat PD kërkon nisjen e hetimeve për krime të dyshuara zgjedhore është depozituar në SPAK. Kallzues direkt është Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Gjithsej janë 48 persona për të cilët është kërkuar nisja e hetimit. Nga informacionet që disponon INFOCIP, SPAK e ka dërguar kallzimin në fjalë, depozituar nga PD në dt. 7 Prill 2021, për kompetencë në Prokurorinë e Elbasanit.

Një tjetër kallzim me një numër të madh pesonash për të cilët kërkohet hapja e hetimeve nga SPAK është ai i depozituar nga PD, dega Durrës në datë 14 Prill 2021. Në total janë 44 persona për të cilët kërkohet hapja e hetimeve si të përfshirë në vepra penale të dyshuara që parashikohen nga Kreu X i Kodit Penal.

Nga informacionet e përpunuara deri tani, rezulton se në SPAK janë depozituar kallzime apo kërkesa për hetim të cilat implikojnë një numër prej 340 personash. Brenda këtij totali, konstatohet se emri i një personi referohet më shumë se sa njëherë, madje në disa raste edhe mbi 8 herë.

Prokuroria e Rrethit Lushnje rezulton të ketë numrin më të madh të kallzimeve penale dhe kërkesave për hetim ndaj personave të përfshirë në krime të dyshuara zgjedhore, krahasuar me të gjitha prokuroritë e tjera në vend.  Sipas burimeve të INFOÇIP janë regjistruar gjithsej 17 kallzime. Të gjitha i referohen nenit 328 K.P. Nga këto 10 kallëzime janë dërguar në SPAK  për shkak të subjektit të posaçëm dhe 7 kallëzime janë në fazë verifikimi në prokurorinë e rrethit Lushnje! Nga vlerësimet e ndërmarra nga stafet e INFOCIP, numri më i madh i kallzimeve referon incidente që janë konsumuar në territorin administrativ të Bashkisë Divjakë.

Prokuroria e dytë me numrin më të madh të kallzimeve është ajo e Fierit. Janë regjistruar 12 kallëzime. Për 5 kallëzime është vendosur mosfillimi i procedimit penal, ndërsa 7 kallëzimet e tjera janë; 1 në fazë verifikimi dhe 6 janë në fazën e hetimit paraprak!

  1. Kallzime në SPAK- Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion

Në SPAK rezulton të jetë referuar numri më i madh i kallzimeve penale për vepra që cënojnë zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Numri i kërkesave për hapje të hetimeve për vepra penale të dyshuara në SPAK ka qenë 91 deri në datë 23 Prill 2021. Shifra ka ardhur në rritje dhe mund të këtë arritur mbi 100..

SPAK ka regjistruar 33 procedime penale deri në datë 27 Prill 2021.

  • 27 procedime penale për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 Kodi Penal.
  • 2 procedime penale për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b Kodi Penal.
  • 2 procedime penale për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a Kodi Penal. (E lidhur me subjekte në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme)
  • 1 procedim penal për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 248 dhe 328 Kodi Penal.
  • 1 procedim penal për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përhapja e sekreteve vetjake”, parashikuar nga nenet 328 dhe 122 Kodi Penal.

Procedimi i fundit penal është regjistruar pas një kërkese të përsëritur të Presidentit të Republikës për të hetuar mbi rrjedhjen e të dhënave pesonale të mbi 900 mijë qytetarëve për përdorim elektoral nga subjektet zgjedhore në fushatë elektorale.

Presidenti i Republikës ka depozituar 18 “kërkesa për hetim” në SPAK mbi incidente të raportuara tek vetë ai përmes një instrumenti fakt-mbledhës online. Ky instrument online denoncimesh u aktivizua nga Presidenti në fillim të fushatës elektorale. Pozita procedurale në këtë rast nuk është ajo e kallzuesit të drejtpërdrejtë por e sinjalizuesit që merr dijeni për elementë të veprës penale të dyshuar.

Në ndryshim nga Presidenti i Republikës, subjekti zgjedhor Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallzime penale. Në shumicë prej tyre, kallzues është sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Z. Gazmend Bardhi.  Numri i tyre deri në datë 23 Prill 2021 ka qenë 50. Subjekti zgjedhor LSI ka paraqitur 3 kërkesa për hapje procedimi penal, pasuar nga PS dhe FRD me nga 1 kërkesë secila.

Policia Gjyqësore ka 10 referime mbi vepra penale të dyshuara që bien në kompetencën lëndore të SPAK. Ndërkohë, janë 4 kallzime të regjistruara nga shtetas të thjeshtë.

SPAK ka administruar deri tani më shumë kërkesa për hapje hetimesh se sa të 21 prokuroritë e rretheve të marra së bashku. Raporti  kallzime te adresuara vs. regjistrim kallzimi ka qene 3 me 1 deri ne date 23 Prill 2021.

SPAK ka 13 prokurore prej te cileve 5 prej tyre do të kenë fokus të posaçëm hetimin e procedimeve penale që do te regjistrohen në tematiken e krimit zgjedhor. Afati procedural ne dispozicion te SPAK për realizimin/mbylljen e hetimeve për vepra penale te dyshuara është dyfish me i larte se ai i prokurorive te zakonshme.

  1. Kallzime në Prokuroritë e Rretheve / Evidenca

Nga të dhënat e mbledhura në rrugë zyrtare dhe operative përmes vëzhguesve të kualifikuar të INFOÇIP, rezulton se në prokuroritë e rretheve raportohen të depozituar 82 kallzime penale për vepra të dyshuara që bien në parashikimet e Kreut X të KP, të ndryshuar. Për shumicën pritet të bëhet vlerësimi paraprak dhe mandej fillimi (ose mos-fillimi) i procedimit penal.

Për shkak të kompetencave të reja që ka marrë SPAK në fushën e hetimit të korrupsionit zgjedhor, një pjesë e kallzimeve të depozitara në prokuroritë e rretheve i janë dërguar për kompetence SPAK. Po ashtu, një pjesë e kallzimeve të depozituara direkt në SPAK, i janë dërguar për kompetencë prokurorive të rretheve.

Më poshtë paraqitet situata faktike e kallzimeve të depozituara në 21 prokuroritë e rretheve: 

1-Prokuroria e Tiranës

Janë regjistruar 7 kallëzime penale, nga këto 6 raste janë referuar nga subjekte politike dhe 1 rast nga një qytetar! Vepra penale së cilës i përkasin të shtatë rastet është: Përdorimi i funksioneve publike për veprimet politike në zgjedhje!  Po ashtu me datë 25 Prill është regjistruar kallëzim për fotografim vote, rast i arrestuar në kushtet e flagrancës!

2-Prokuroria e Fierit

Janë regjistruar 12 kallëzime. Për 5 kallëzime është vendosur mosfillimi i procedimit penal, ndërsa 7 kallëzimet e tjera janë; 1 në fazë verifikimi dhe 6 janë në fazën e hetimit paraprak!

3-Prokuroria e Vlorës

Janë regjistruar 3 kallëzime. Ndër to: 1 kallëzim i bërë nga një subjekt politik, 1 nga dy avokatë dhe 1 kallëzim për fotrografim vote!

4-Prokuroria e Elbasanit…..ne proces vijon

Janë regjistruar 2 kallëzime! Kallëzimi i parë ka të bëjë me një subjekt politik. Nenet që i referohet ky kallëzim janë 325/ 328/ 331/ 332/! Rasti i dytë është referuar më datë 22.04.2021 nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë, Elbasan në kuadër të hetimit në lidhje me procedimin penal nr. 477 të vitit 2021

5-Prokuroria e Korçës

Janë regjistruar 2 kallëzime. Një kallëzim është bërë nga një subjekt politik dhe u transferua në SPAK! Ky kallëzim lidhet me nenin 328/a të K.P!  Kallëzimi i dytë edhe në proces verifikimi.

6-Prokuroria e Shkodrës

Janë regjistruar 2 kallëzime! Njëri kallëzimin për nenin 328/b i KP, i cili është dërguar për kompetencë në SPAK!  Kallëzimi i  dytë për nenin 327 të KP

7-Prokuroria e Gjirokastrës

Janë regjistruar 9 kallëzime, prej tyre 8 kallëzime kanë ardhur nga subjekte politike dhe 1 nga një shtetas. Ndër rastet e kallëzuara nga subjektet, 7 kallëzime janë për ‘shpërdorim detyre’, neni 248, ndërsa rasti i kallëzuar nga shtetasi i referohet nenit 330 KP!

Nga këto 9 kallëzime, 1 rast është në verifikim paraprak, 6 raste i kanë kaluar SPAK ndërsa 2 raste janë regjistruar mbi bazë kallëzimi në prokurori.

8- Prokuroria e Lushnjës 

Janë regjistruar 17 kallëzime. Të gjitha i referohen nenit 328 K.P. Nga këto 10 kallëzime janë dërguar në SPAK  për shkak të subjektit të posaçëm dhe 7 kallëzime janë në fazë verifikimi në prokurorinë e rrethit Lushnjë!

9-Prokuroria e Durrësit

Janë regjistruar 11 raste lidhur me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, prej të cilave 4 raste janë regjistruar si procedime penale dhe 7 raste të tjera janë kallëzime në proces verifikimi!

10-Prokuroria Kukës! 

Është regjistruar 1 kallëzim! Incidenti është shënuar në bashkinë Has dhe referohet në nenin 328!

11-Prokuroria Berat 

Janë regjistruar 2 kallëzime penale, të dyja të depozituara nga subjekte politike! Kallëzimi i parë bazohet në nenin 328 ndërsa rasti i dytë bazohet në nenin 329!

12-Prokuroria e Dibrës

Janë regjistruar 2 kallëzime penale! Kallëzimi i parë i referohet rastit të Maçellarës dhe bazohet në nenin 328 të KP. Ndërsa rasti i dytë është në proces verifkimi!

13-Prokuroria e Kavajës

Janë regjistruar 2 kallëzime penale. Rasti i parë ka të bëjë me kallëzim të ardhur nga një subjekt politik në të cilin është paditur kryetari i Bashkisë. Padia bazohet në nenin 248 të KP! Për të është vendosur mosfillim hetimi!  Rasti i dytë ka të bëjë me kallëzimin ndaj një kandidati për deputet dhe është regjistruar sipas nenit 328!

14-Prokuroria Përmet 

Janë regjistruar 2 kallëzime penale! Kallëzimet janë depozituar nga një subjekt politik në të cilin janë paditur dy kryetarët e Bashkive, respektivisht Përmet dhe Këlcyrë! Padia bazohet në nenin 328/a. Dy ditë më vonë këto kallëzime raportohet se kanë kaluar në SPAK!

15-Prokuroria e Pukës

Është regjistruar vetëm 1 rast! Policia e Shtetit ka referuar rastin e nje shtetasi te kapur ne flagrance i cili akuzohet për shkelje të nenin 328 të Kodit Penal! Personi qendron i arrestuar pasi ndaj tij eshte dhenë  masa e arrestit me burg!

16-Prokuroria e Tropojës

Janë referuar nga Policia 2 raste! Referimet janë të bazuara në nenin 331/a te Kodit Penal!

17- Prokuroria Kurbin

Është regjistruar vetëm 1 referim, bërë nga Policia bazuar në nenin 326 të Kodit Penal!

18 -Prokuroria Sarandë

Janë regjistruar 3 kallëzime! Ndër këto 2 janë kërkesa të Presidenti të Republikës të regjistruara; njëra neni 328 a/ që lidhet me përdorimin e zyrtarëve lokal për të shpërndarë certifikata pronësie. Kërkesa e dytë e Presidentit, e regjistruar edhe kjo si kallëzim, padit zyrtarë të SHISH për kanosje ndaj një kandidati për deputet. Kërkesa bazohet në nenin 329 të KP!

Ndërsa rasti i tretë është kallëzim nga një qytetar cili pretendon që ka patur një konflikt pronësie me një shtetas tjetër. Ai ka mësuar se kadastra ia ka dhënë certifikatën e pronësisë kundërshtarit të vet. Çertifikata është dhënë ditën e shtunë, 24 Prill 2021

19-Prokuroria Lezhe

Nuk ka raste

20-Prokuroria Mat

Nuk ka raste

21- Prokuroria Krujë

Nuk ka raste

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>