PD akuzon qeverinë: Hodhi 40 milion euro për blerje votash!

02 Maj 2021/ Partia Demokratike, ka bërë një tjetër denoncim, duke akuzuar maxhorancën se përdori dhjetëra miliona euro fonde publike për të blerë votën e qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti. PD vuri në dispozicion dokumentet ku duken disa nga të dhënat e thesarit të shtetit për pagesat e bëra tre ditë para zgjedhjeve parlamentare për rindërtimin dhe bonusin e qirave.

Sipas Oerd Bylykbashit, deputet i zgjedhur për PD në Durrës, qeveria shqiptare ka dhënë 40 milionë euro me qëllim blerjen e votave, e për këtë ai renditi dhe qytetet ku janë dhënë fondet. “Edi Rama në bashkëpunim me të emëruarit e tij në bashkitë e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Kamzës, Lezhës, Rrogozhinës, Vorës, Krujës, Laçit dhe Mirditës ka shpërndarë 40 milion euro edhe 2 ditë përpara datës së zgjedhjeve”.

Për këtë fakt Bylykbashi kërkoi reagimin e SPAK. “Për këtë rast flagrant prokuroria nuk ka nisur ende asnjë hetim. Këto janë disa prova të tjera të manipulimit dhe shtrembërimit të vullnetit të shqiptarëve më 25 prill nga regjimi Rama-Doshi. Selia blu ka bërë të ditur se do të vazhdojë të denoncojë raste e blerjes apo manipulimit të votave. PD edhe në ditët e ardhshme do të vijojë të denoncojë prova që faktojnë përfshirjen e Edi Ramës në makinerinë kriminale të blerjes së votës.”

Deklarata e PD

“Sipas këtyre fakteve Edi Rama në bashkëpunim me të emëruarit e tij në bashkitë e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Kamzës, Lezhës, Rrogozhinës, Vorës, Krujës, Laçit dhe Mirditës ka shpërndarë 40 milion euro edhe 2 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Gjate dy muajve të fundit, bashkitë e kontrolluara 100% nga Rama kanë rritur në mënyrë fiktive vlerën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti me qëllim që të blejnë votën e familjeve të prekura. Objekte të vlerësuara sipas kategorisë DS1 u rivlerësuan si të kategorisë DS2 dhe objekte të vlerësuara sipas kategorisë DS2 u rivlerësuan si objekte të kategorisë DS3.

Gjatë 2 muajve të fundit Rama miratoi 20 VKM për të lejuar disbursimin e paligjshëm të këtyre shumave marramendëse në llogaritë e qytetarëve të targetuar nga makineria qeveritare e manipulimit të votës. Gjatë muajit mars, bashkitë e kontrolluara nga Rama disbursuan në llogaritë e familjeve të këtyre zonave 14 milion euro. 26 milion euro të tjera u disbursuan në llogaritë e qytetarëve gjatë muajit prill. Vetëm gjate javës zgjedhore Bashkia e Durrësit ndau 6 milion euro për procesin e rindërtimit, 89 herë më shumë se sa ka shpërndarë në 15 muajt e fundit.

Kodi elektoral e ndalon qeverinë të përfshihet në veprimtari të tilla të influencimit dhe orientimit të votës duke përdorur fondet publike gjatë 4 muajve të fundit përpara zgjedhjeve. Për këtë rast flagrant prokuroria nuk ka nisur ende asnjë hetim”.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>