Nga Gjergji Mima, ATSH -05.11.2021 –
Komisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi sot se do t’i adresohen Prokurorisë të gjitha rastet që rezultojnë me shkelje pas procesit të verifikimit paszgjedhor.Në një konferencë për mediat, te mbajtur ne date 05.11.2021, Ilirjan Celibashi u shpreh se “KQZ ka përfunduar procesin e verifikimit paszgjedhor të fletëve të votimit të dokumentacionit zgjedhor si edhe ka realizuar procesin e kryqëzimit të të dhënave daktiloskopike të përfituara nga procesi i identifikimit elektronik”.
“Procesi i kryqëzimit të të dhënave daktiloskopike ka përfshirë 4 procese. Procesin e importimit të të dhënave nga pajisjet e identifikimit elektronik në QV në serverët përkatës. Është bërë konsolidimi i këtyre të dhënave në serverët përkatës. Është bërë ekzaminimi i këtyre të dhënave dhe është përfituar raporti vijues”, u shpreh ai. Hap linkun për të shkarkuar RAPORTIN E PLOTE VERIFIKUES TE KQZ
“Nga rezultati i kryqëzimit të të dhënave janë 5023 QV në të cilat është realizuar procesi i identifikimit të zgjedhësve nëpërmjet pajisjes së identifikimit elektronik nga 5199 QV. Janë 1.602.741 zgjedhës të identifikuar nga PEI gjatë ditës së zgjedhjeve. Janë 2.81 % e zgjedhësve të cilët nuk ka qenë e mundur t’u bëhej skanimi i shenjës së gishtit, kryesisht për shkak të moshës, ose të dëmtimeve të shenjave biometrike”, tha Celibashi.
“Janë 1006 raste të dyshuara. Pra nga procesi i kryqëzimit të të dhënave dhe shenjave të gishtërinjve janë 1006 raste të dyshimta, që nuk do të thotë që janë 1006 persona, por janë 1006 shenja gishtërinjsh, të cilat më shumë se një herë dyshohet se janë të njëjta, kanë ngjashmëri”, theksoi Celibashi.
“Prej këtyre kemi identitet të njëjtë në qendra të ndryshme të votimit të 20 zgjedhësve. Pra janë 20 zgjedhës të cilët dyshohen se kanë votuar në 2 QV të ndryshme”, tha ai.
Nga të dhënat paraprake që kemi ne, shtoi Celibashi, “rezultojnë që këta janë komisionerë të cilët kanë votuar tek QV ku ata kanë pasur emrin e tyre në listën e votimit, por kanë votuar edhe në QV ku ata kanë ushtruar funksionin e tyre si komisioner. Gjithësesi kjo mbetet për t’u verifikuar akoma më tej”.
“Janë 224 shenja gishti unike të cilat janë skanuar më shumë se dy herë. Pra një shenjë gishti lidhet me 2 numra identifikimi personal. Kjo do të thotë që kur një person i caktuar ka shkuar, ka vendosur gishtin, është lexuar karta e tij e identitet, ky person ka edhe një lexim të një karte tjetër, po me këtë shenjë gishti. Dhe shenjat e gishtit të cilat rezultojnë të skanuara më shumë se dy herë janë 44 shenja gishti të skanuara për 528 herë, pra asnjë shenjë gishti lidhet me disa, më shumë se dy karta identiteti të lexuara”, nënvizoi Celibashi.
Sa i përket rezultateve të këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit, Celibashi tha se, “janë 520 QV të cilat i janë nënshkruar këtij procesi verifikimi. Janë 40 QV të cilat kanë diferencë për kandidatët nga 10 deri ën 20 vota. Pra 40 QV. Janë 19 QV , të cilat kanë diferencë mbi 20 vota për kandidatë, pra plus ose minus. Pra kandidatët kanë më shumë se 20 vota, ose në disa raste kanë edhe më pak se 20 vota nga ato, të cilat ne kemi gjetur në procesin e verifikimit”.
“Janë zero QV me diferencë mbi 30 vota dhe janë 0.8 % QV me diferencë 10-30 vota për subjektet zgjedhore. Pra vetëm 4 QV nga 520 të këqyrur. Janë 371 QV nga 519, pra 71 % e QV nuk k pasur diferenca për partitë politike dhe për subjektet, është zero. Janë 28 % e QV nga 519 të këqyrura të cilat kanë diferencë nga 1 deri në 9 vota. Pra ose u janë dhënë 9 vota më shumë, ose u janë hequr 9 vota partive politike. Janë 1 % e QV, pra vetëm 4 QV nga 519 në të cilat diferenca është 10-30 vota. Dhe nuk ka asnjë QV në të cilat diferenca e votave për partitë politike të jetë mbi 30 vota. Por në tërësi vlen të evidentohet që këto diferenca kanë qenë të shpërndara në QV të ndryshme votimi”, u shpreh Celibashi.
Sa i përket pavlefshmërisë së fletëve të votimit, Celibashi tha se, “nga këqyrja që i kemi bërë dhe rivlerësimi fletëve të votimit të klasifikuara si të pavlefshme, 41 % e këtyre fletëve të votimit janë të pavlefshme sepse janë votuar për më shumë se një subjekt zgjedhor. 25 % e fletëve të votimi të pavlefshme janë të tilla sepse është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e subjektit tjetër zgjedhor. 15 % e fletëve të votimit të pavlefshme janë të tilla sepse ka qenë e pamundur për t’u vlerësuar dhe për t’u lexuar zgjedhja e votuesit. Dhe 19 % janë raste të tjera”.
Celibashi tha se, “KQZ do të bëjë një vlerësim të natyrës të parregullsive të evidentuara. Me siguri në ato raste, sidomos sa i përket procesit të të identifikimit elektronik ku kemi konstatuar shenja gishti të lidhura me më shumë se një dokument identifikimi do të kenë një verifikim më të thelluar nga ana e kQZ. Por mund ta them që në krye të herës, ato raste në të cilat shenjat e gishtit janë gjetur në 2 QV të ndryshme votimi meritojnë adresimin e kësaj çështje tek organi i prokurorisë për hetim penal dhe do të jenë ata të cilët do të vendosin nëse jemi përpara një vepre penale, apo jemi përpara një gabimi njerëzor, apo gabimi teknik”.
“Edhe për rastet kur janë konstatuar shenja të identifikimit të gishtërinjve të lëna në më shumë se 2 herë, ose të lidhura me më shume se 2 dokumente identifikimi edhe pse janë në një qendër votimi. Këto do t’i identifikojmë nga pikëpamje administrative më së pari dhe nëse rezulton se shkelja është më shumë se administrative do të bëjmë kallëzim për ndjekje penale pranë organit të prokurorisë. Por në çdo rast nga pikëpamja administrative mund ta them paraprakisht që jemi përpara shkeljeve të rënda administrative dhe do ketë penalitete. Dhe për ato raste kur këto penalitete janë të karakterit penal ne do ti kërkojmë organit të prokurorisë që të bëjë hetimet përkatëse”, theksoi ai.
“Kjo vlen edhe për rastin e gjetjeve dhe parregullsive të verifikuara nga procesi i këqyrjes së fletëve të votimit dhe i tabelave të rezultateve. Natyrshëm që kur këto diferenca janë 1,2,3,4,5 po dhe këto mbeten për t’’u verifikuar apo 10 mund të ngelemi tek sanksionet penale. Por në ato raste dhe në ato QV ku në të njëjtën QV një subjekti zgjedhor apo dhe një kandidati i janë hequr 10, 20, 30 apo dhe më shumë vota, këto raste ne vlerësojmë që kërkojnë angazhimin e organit të prokurorisë”, u shpreh Celibashi.
Artikull i marre nga ATSH, pa ndryshime, me burim të cituar, konform parashikimeve të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”. Hap ketu shkrimin direkt nga ATSH