PD denonocon: Ballukun mblodhi të dhëna për legalizime në fushatë, kallëzimi u bë me 12 prill!

03 Maj 2021/Belind Këlliçi, deputeti i Partisë Demokratike që ka fituar në zgjedhjet e 25 prillit, ka dalë në një deklaratë për shtyp. Ai ka treguar se Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht në Prokurori ministren Belinda Balluku. Sipas tij kallëzimi është referuar për manipulimin e zgjedhjeve që po bëheshin nga shtabi elektoral i Ballukut. Në kallëzim është edhe emri i drejtueses së këtij shtabi, Laureta Omeri. Këlliçi ka vënë theksin se as SPAK dhe as prokuroria nuk kanë folur ende për këtë çështje. Këlliçi dëshmoi publikisht që e ka depozituar kallëzimin me datë 12 prill, pra 13 ditë para datës së votimeve. Objekti i kallëzimit lidhet me mbledhjen e të dhënave për t`iu kryer legalizimin e objekteve para zgjedhjeve!

“Provat e manipulimit të zgjedhjeve nga regjimi Rama-Doshi bëhen çdo ditë e më të shumta dhe çdo ditë e më të qarta. Shtabi elektoral i Belinda Ballukut, me në krye drejtuesen e shtabit, Laureta Omeri mbledhin të dhënat e banorëve të zonës elektorale të Belinda Balkukut për të kryer legalizimin para zgjedhjeve. Ky është përdorim i  burimeve shtetërore për qëllime partiake dhe elektorale dhe ndëshkohet me burg. Në këtë bisedë ka detaje të ndërtesave dhe adresave përkatëse për të cilat shtabet elektorale të Partisë Socialiste urdhërojnë legalizimin e menjëhershëm para zgjedhjeve, në këmbim të votës. Aty dalin në pah hartat e banesave, emrat e punonjësve të administratës publike në vënë në shërbim të kësaj skeme kriminale të blerjes së votës, emrat e votuesve, por edhe shumë informacione të tjera.”

Këlliçi u shpreh se PD ka bërë kallëzim kundër ministres Balluku dhe stafit të saj për krime elektorale, shpërdorim detyre dhe grup të strukturuar kriminal që prej datës 12 prill 2021.

“Heshtja e deri më sotme e SPAK dhe e prokurorisë për hetimin e këtij krimi zgjedhor, të depozituar javë më parë nga PD, është tregues i qartë se strukturat që kanë për detyrë të hetojnë këto krime nuk po e kryejnë misionin e tyre. Sot Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i SPAK kanë përpara tyre një krim të dyfishtë, atë të vjedhjes së zgjedhjeve dhe atë të mosveprimit të organit të prokurorisë për të parandaluar e ndëshkuar krimet zgjedhore të provuara. Ky rast flagrant është një provë sesa të përkushtuar janë vërtetë këto organe për të përmbushur detyrën e tyre, siç pret opinion publik shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.”

Ai shtoi se kjo është një provë flagrante që provon se si Edi Rama dhe Belinda Balluku janë në krye të operacionit kriminal të vjedhjes së zgjedhjeve, duke shkelur ligjin dhe duke përdorur burimet shtetërore.

“Kjo është një provë flagrante që provon se si Edi Rama dhe Belinda Balluku janë në krye të operacionit kriminal të vjedhjes së zgjedhjeve, duke shkelur ligjin dhe duke përdorur burimet shtetërore për të deformuar vullnetin e qytetarëve dhe rezultatin e zgjedhjeve. Dhe ky nuk është një rast i izoluar por një hallkë në zinxhirin e gjatë të përdorimit të administratës publike dhe buxhetit të shtetit në funksion të blerjes së votës. Të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se si kanë vepruar Rama-Doshi dhe bandat e pushtetit për të vjedhur dhe blerë rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit. Të tjera fakte dhe të dhëna do të publikohen në ditët në vijim. Një gjë është e sigurt. Ne do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin e madh që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, që ta rrëzojmë regjimin Rama-Doshi.” 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>