PD depoziton në KQZ dosjen voluminoze për 25 Prillin: Pretendohen shkelje zgjedhore ne 9 Qarqe!

8 Maj 2021 – Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nje dosje voluminoze. Sipas saj, në dosje  janë renditur materiale kompromentuese për 9 qarqe zgjedhore. Dosja me qindra faqe është hartuar nga ekspertët ligjorë të PD-së.

PD prej ditësh publikon kallëzime të depozituara në SPAK prej perfaqesuesve te saj.  PD disa here ka shprehur pakenaqesi publikisht lidhur me ngadalesine e hetimeve te ndermarra nga SPAK.

Fjala e plotë e përfaqësuesve ligjorë të PD-së:

“Procesi i 25 prillit ishte një masakër elektorale e orkestruar dhe zbatuar nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi. Viktimat e kësaj masakre elektorale janë shqiptarët dhe familjet e tyre. Detyra e Partisë Demokratike është të qëndrojmë fort dhe të vendosur dhe të luftojmë me të gjitha fuqitë për kthimin e demokracisë në vend.

Sot, ne po dorëzojmë në KQZ qindra prova fakte dhe të dhëna që provojnë tjetërsimin e vullnetit tê shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri. Nga blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, tek vjedhja e të dhënave personale të qytetarëve nga partia-shtet dhe përdorimi i tyre për presione kriminale nga sistemi i patronazhistëve te partisë shtet. Nga angazhimi i shtetit dhe administratës, tek tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të blerë vota. Nga kandidimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar tek përdorimi i bandave për te blere vota dhe kërcënuar qytetaret nen mbrojtjen dhe mosveprimin e policisë dhe prokurorisë.

Nga ndryshimet antikushtetuese te Kodit Zgjedhor, tek ndryshimet me urdhër politik të fletës se votimit që sollën zhvleftësimin e 83 mijë votave baras me afërsisht 8 deputete. Nga pamundësimi i votës se emigranteve tek karantina 3 ditore për të penguar emigrantët të vijnë fizikisht për të votuar. Siç e pamë gjatë zgjedhjeve, regjimi Rama-Doshi sundon gjithë sistemin shtetëror në vend, dhe e përdor atë për përfitimet e tij politike.

Këtu përfshihet edhe KAS i cili vendosi fletën e votimit sipas urdhrit politik të Edi Ramës. Por është detyra jonë të shpalosim gjithë dëshmitë dhe dokumentet që kemi dhe të vazhdojmë betejën për të vërtetën dhe për qytetarët shqiptarë në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë. Kjo betejë nuk ka të bëjë me PD apo me partitë politike, ajo ka të bëjë me të ardhmen tonë, fëmijët tanë, demokracinë tonë. Dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë: përmbysja e regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë shqiptarëve”.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>