Ambasadori Soreca: Zgjedhje ishin të rregullta por duhet të hetohen krimet zgjedhore!

Ambasadori i BE, Luigi Soreca, ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë në mënyrë shteruese akuzat e opozitës për manipulim në zgjedhjet e 25 prillit. Deklaratën diplomati europian e bëri gjatë ndalesës në Durrës në kuadër të turit për javët e Europës. Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, duke komentuar procesin zgjedhor nga Durrësit tha se zgjedhjet e 25 prillit ishin të rregullta e pa probleme, duke cituar kështu raportin e OSBE/ODIHR.

Madje ai tha se në qendrat e votimeve ka pasur përmirësime krahasuar me zgjedhjet e mëparshme: Siç e dini dhe nga raporti që ka nxjerrë OSBE/ODIHR por dhe në konferencën për shtyp që patën për gjetjen paraprake ata thanë që zgjedhjet në Shqipëri sivjet ishin në mënyrë të rregullt apo pa probleme. Ata thanë po ashtu se menaxhimi nga administrata zgjedhore ka qenë pozitiv. Në qendra të ndryshme të votimit ka pasur përmirësime në krahasim me vitet e mëparshme.

Megjithatë ai nxiti hetimin e krimeve zgjedhore në një kohë të shpejtë qoftë nga administrata zgjedhore ashtu edhe nga SPAK. BE po e ndjek nga afër këtë proces, tha Soreca gjatë një komunikimi me qytetarët.

Është shumë e rëndësishme që tani të ndiqen nga administrata zgjedhore dhe autoritetet gjyqësore të gjitha parregullsitë që pretendohet se janë kryer, të gjitha ato dosje që janë çuar të ndiqen, hetohen, shikohen. E dimë që kjo po ndodh, po e ndjekim këtë proces nga afër. Për ne është shumë e rëndësishme që puna e autoriteteve gjyqësore por edhe administratës zgjedhore jo vetëm të vijojë por edhe të përfundojë ashtu siç e parashikon kodi zgjedhor. Sipas ndryshimeve në kodin zgjedhor, edhe SPAK ka një mandat më të zgjeruar për krimet zgjedhore. Është e rëndësishme që kjo punë të vijojë si duhet dhe të përfundojë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>