KQZ administroi 135 denoncime për parregullsi në Zgjedhjet e 25 Prillit. Asnjë referim në Prokurori

15 Gusht 2021 – INFOÇIP po vijon të ndjekë nga  afër procesin e denoncimeve dhe hetimeve qe lidhen me vepra të dyshuara penale që cënojnë integritetin e zgjedhjeve. Në datë 12 Gush 2021,  INFOÇIP iu drejtua me një komunikim zyrtar Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, KQZ për të vlerësuar sa ka qenë numri i përgjithshëm i denoncimeve të depozituara nga subjeket zgjedhore dhe nga qytetarët në Portalin e Denoncimeve të ndërlidhur me faqën zyrtare të KQZ.  

INFOÇIP ka theksuar në kërkesën zyrtare të depozituar interesin specifik për të vlerësuar rolin qe ka patur instrumenti i ri i prezantuar në Zgjedhjet e 25 Prillit 2021, parashikuar në ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u bënë në vitin 2020, Ndërkohë,  procedurat e funsionimit të Portalit të Denoncimeve janë hartuar me  Vendim Nr.9, Dt. 9/3/2021 të KQZ.

Konkretisht, INFOÇIP depozitoi në KQZ pyetjen: Sa eshte numri total i sinjalizimeve dhe/ose denoncimeve që u paraqiten në KQZ përmes Portalit të Denoncimeve deri në dt. 1 Gush 2021.

Sipas përgjigjes zyrtare të kthyer nga KQZ në datë 17 Gusht 2021, “pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 135 sinjalizime/denoncime në kuadër të zbatimit të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve” si dhe udhëzimit nr. 06, datë 23.03.2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”.

Po në të njëjtën kërkesë zyrtare, INFOÇIP ka kërkuar nga KQZ një informacion të përditësuar lidhur me numrin e referimeve në Prokurori të denoncimeve apo sinjalizimeve të depozituara në Portalin e denoncimeve. Konkretisht, INFOCIP paraqitit pranë KQZ pyetjen: Sa eshte numri i sinjalizimeve/denoncimeve qe iu referuan për ndjekje penale organit të Prokurorirse (ose SPAK, në raste të dyshuara për shit-blerje të votës).

Në përgjigjen zyrtare të kthyer nga KQZ thuhet shprehimisht se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka referuar asnjë rast për ndjekje penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme ose SPAK”.

Përfshirja e publikut në denoncimin e parregullsive zgjedhore u bë përmes parashikimeve të veçanta në Kodin Zgjedhor. Në datë 17 Dhjetor 2020, Kuvendi adoptoi edhe disa ndryshime në ligjin  60/2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Sipas ndryshimeve të bëra përmes ligjit 150/2020, dt 17.12.2020, “Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve krijohet dhe funksionon njësia përgjegjëse për marrjen dhe trajtimin e sinjalizimeve në fushën e korrupsionit aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje. Njësia përgjegjëse në KQZ, në përfundim të hetimit administrativ, në rast se konstaton shkelje të dispozitave të këtij ligji për sinjalizimet në fushën e veprimtarisë zgjedhore, të cilat nuk përbëjnë vepër penale, vendos masë administrative me gjobë sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.  Nëse në përfundim të hetimit administrativ njësia përgjegjëse në KQZ arrin në përfundimin se veprimi ose praktika e dyshuar, e sinjalizuar, e korrupsionit aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje ka elemente të veprës penale, njofton menjëherë prokurorinë.”

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>