Një i vrarë dhe katër të plagosur në Elbasan, dorëzohet në polici autori

21 Prill 2021 – Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, u ekzekutua sot me armë në Elbasan, teksa tre persona të tjerë mbetën të plagosur, prej të cilëve një punonjëse policie. Burime mediatike bënë me dije se autori i dyshuar i këtij atentati është dorëzuar në polici rreth 1 ore pas ngjarjes se rende.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në lagjen “5 maji”, ndërsa nuk dihet qartë dinamika dhe motivi i vrasjes. Rreth një orë pas ngjarjes, burime jo-zyrtare thanë për Euronews Albania se në polici është dorëzuar autori i dyshuar Arbër Paplekaj. Burime thanë se Paplekaj ka qenë punonjës policie, i larguar nga detyra rreth dy vite më parë.

Nga të plagosurit, punonjësja e policisë është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë dy të tjerët janë nisur për në Spitalin Universitar të Traumave në Tiranë. Pavlo Vuksani është personi i katërt që mbeti i plagosur në ngjarjen tronditëse të Elbasanit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Pjerin Xhuvani njihej në Elbasan pasi ka qenë drejtor i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit e më pas drejtor i Drejtorisë Rajonale të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në vitin 2015 qe arrestuar për abuzime me skemën e rimbursimit të ilaçeve.

Ai ka qenë i angazhuar me disa parti politike. Më parë ka qenë funksionar i LSI-së në Elbasan, apo dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Në përplasjen mes simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, më 14 mars, Pjerin Xhuvani qe pikasur në fotografi të denoncuara nga opozita teksa përshëndetej me Sekretarin e Partisë Socialiste Taulant Balla.

Elbasani është konsideruar prej kohësh si qytet me kriminalitet të lartë. Vrasja ndodh katër ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

 

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE SE SHTETIT:

Elbasan/Informacion paraprak

Më datë 21.04.2021, rreth orës 14:00, në lagjen ‘5 Maji’, Elbasan, gjatë një konflikti është vrarë me armë zjarri shtetasi P. XH., si dhe janë plagosur shtetasit E. P., P. V. dhe E. B.

Gjithashtu, në përpjekje për të parandaluar krimin është plagosur edhe punonjësja e Policisë e forcës së posaçme ‘Shqiponjat’, XH. S.

Menjëherë në ndihmë të patrullës kanë shkuar shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë Elbasan, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje dhe dalje të qytetit të Elbasanit.

Gjithashtu, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë të hetimit të krimeve kundër personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, të Drejtorisë së Krimeve Kundër Personit e Pasurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan po vijon intensivisht puna për fiksimin dhe administrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes.

Ndërkohë janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen, si dhe është bërë e mundur vënia në pranga e autorit të vrasjes, shtetasi A. P., ish punonjës police.

Vijon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>