Denoncimi i Xhelal Mziut: Aktorët kryesorë në Dibër ishin ata të dosjes 184!

02 Maj 2021/Xhelal Mziu, drejtuesi i qarkut Dibër i PD, tashmë deputet i Parlamentit të ri, i ftuar në studion e Ora News  tha se gjatë fushatës elektorale u përdor çdo instrument i mundshëm nga qeveria për tjetërsimin e votës. Ai u shpreh se struktura të veçanta të policisë ndihmuan në shpërndarje e lekëve, sidomos gjatë orës policore kur demokratët nuk lejoheshin të patrullonin.

Gjithashtu gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale u dhanë pafund legalizime dhe u punësuan njerëz në administratë, sipas Mziut. “Bëra më shumë se sa tre muaj fushatë në çdo njësi administrative të qarkut të Dibrës. Është dhe ngelet qarku më i varfër i Shqipërisë, me papunësi ekstreme dhe me një bujqësi të rrënuar.

Kjo pakënaqësi u konvertua në bashkim si asnjëherë tjetër në këtë fushatë elektorale, por ndërkohë kam shpalosur platformën më të mirë në këto 31 vite demokraci, platformën “Basha” e cila intrigoi jo vetëm demokratët por dhe mjaft socialistë të zhgënjyer nga qeverisja Rama për t’u bashkuar. Në këtë kontekst isha plotësisht i bindur që do të merrja 4 nga 5 mandate.

Në 10 ditët e fundit të fushatës filloi arsenali qeveritar i tjetërsimit të votave, ata kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, e kanë përdorur që në 2013 në çdo fushatë dhe përdorën çdolloj instrumenti për ta vjedhur votën. Së pari filluan me shpërndarjen e parave, ditën dhe natën. Madje natën e parafundit, të premten në darkë më 23 prill ne kemi kapur dhe kryetarin e Partisë Socialiste të qarkut Dibër, i cili bashkë me një person tjetër po shpërndante para bashkë me një person tjetër. Në momentin që u kap i kishte mbetur vetëm lista e familjeve demokrate dhe 300 euro.

Struktura të caktuara të policisë kanë qenë bashkëpunuese, madje në 3-4 ditët e fundit kanë shërbyer si korrierë. Kanë shfrytëzuar orën policore, ku nuk lejoheshin demokratët as të patrullonin për të mbrojtur zonën e tyre. Nuk ishte vetëm shpërndarja e parave, në 3 muaj fushatë që unë kam qenë atje ndihma ekonomike u dha në muajin e fundit dhe ndihma ekonomike u shpërnda nëpër shtëpi .U dhanë pafundësisht leje legalizimi, të cilët i dhanë dy ditët e fundit të fushatës.

Gjithashtu në shkelje të Kodit Zgjedhor u futën në punë me mijëra qytetarë shkonin dhe merrnin thjesht rrogën, sepse vetëm 10% e administratës punonte. Ata merreshin vetëm me listën e votuesve duke luajtur rolin e koordinatorit të këtyre votave. Çdo pjesë e strukturës lokale dhe qendrore ka qenë e angazhuar si asnjëherë tjetër duke i bindur dhe duke i vendosur në presion për të sjellë edhe familje të tjera.

Kjo ka qenë një metodë e jashtëzakonshme e cila i ka ndrydhur votat e qytetarëve. Aktorët kryesorë ne Dibër, ishin të njëjtët aktorë që kanë qenë dhe tek dosja 184 si kryetari i bashkisë apo drejtuesi i qarkut të Dibrës ose i treti i listës Denis Imeri i cili është aktori kryesor i dosjes 184. Shteti është kthyer në një shtet elektoral për tjetërsimin e votës dhe nuk ka dhënë asnjë lloj impakti në këto 8 vite.”

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>